Në nisje të seancës së sotme, kryeministri Albin Kurti prezantoi ministrat e rinj të Qeverisë Kurti 3 dhe foli për prioritetet e kabinetit qeveritar.
Ai njoftoi se Qeveria po punon për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kishin mbetur pezull pas shpërndarjes së Kuvendit në nëntor të vitit të kaluar, përfshirë:
Një marrëveshje për Bashkimin Evropian me vlerë 800.82 milionë euro.
Tri marrëveshje me Bankën Botërore mbi 120 milionë euro.
“Kuvendi i dhjetë i konstituar dje dhe me votën tuaj sot po i jep vendit një mundësi tjetër për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Kurti.
Po ashtu, kryeministri prezantoi edhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili kap vlerën prej 4 miliardë euro, ku për komunat e Kosovës janë parashikuar 870 milionë euro.
Buxheti përfshin:
Pagesën e pagës së 13 për punonjësit e sektorit publik, e cila do të fillojë sapo ligji të hyjë në fuqi.
Rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para, duke reflektuar përvojën e punonjësve.
Shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, deri në miratimin e ligjit të ri për tatimin në pronë dhe konsolidimin me komunat.
Kurti theksoi se, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, janë në hapin e tretë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe është i gatshëm të nisë diskutime me subjektet e tjera politike për çështjet që lidhen me Presidencën.