January 20, 2026
2 mins read

Nis java e vetëdijësimit për Kancerin e Qafës së Mitrës

Ka nisur Java e Vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës e cila shënon një angazhim të vazhdueshëm institucional për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi këtë sëmundje, me theks të veçantë në parandalimin, zbulimin e hershëm, diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor malinj që zhvillohet në cerviks dhe përbën një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë në nivel global. Shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje është infeksioni me Human Papillomavirus (HPV), ndërsa faktorët e rrezikut lidhen kryesisht me infeksione të patrajtuara, seksualisht të transmetueshme dhe infeksione të vazhdueshme me tipe të caktuara të HPV-së.

Sipas të dhënave globale, gjatë vitit 2022 janë regjistruar rreth 660 mijë raste të reja dhe rreth 350 mijë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës. Në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 140 raste, që përbëjnë rreth 3 për qind të të gjitha rasteve të kancerit.

Në kuadër të politikave parandaluese dhe investimeve strategjike në shëndetin publik, Ministria e Shëndetësisë thekson se ka pesëfishuar buxhetin për vaksina, duke mundësuar zgjerimin e kalendarit të rregullt të vaksinimit me tri vaksina të reja, ndër to edhe vaksinën kundër HPV-së. Ky investim ka mundësuar krijimin e një programi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të imunizimit.

“Programi i vaksinimit kundër HPV-së po zbatohet për vajzat dhe djemtë 12-vjeçarë. Gjatë vitit 2024 janë vaksinuar 9,990 vajza, që përfaqësojnë rreth 85 për qind të grupit të synuar. Nga viti 2025, programi është zgjeruar edhe për djemtë, dhe deri më tani janë vaksinuar gjithsej 19,513 fëmijë, përkatësisht 9,651 vajza dhe 9,862 djem, duke arritur një mbulim prej rreth 85 për qind të target grupit”.

“Në funksion të forcimit të parandalimit dhe zbulimit të hershëm, Ministria e Shëndetësisë ka hartuar edhe Planin e Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028, në përputhje me objektivat globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e kësaj sëmundjeje si problem i shëndetit publik.

Skriningu i rregullt me PAP test mbetet një ndër mjetet më efektive për zbulimin e hershëm të ndryshimeve para-kanceroze dhe për uljen e ndjeshme të vdekshmërisë. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjitha grave që të shfrytëzojnë shërbimet parandaluese dhe të kujdesen në mënyrë aktive për shëndetin e tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop