Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit, në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash, me autorizim të Kryeprokurorit, Petrit Kryeziu, ka iniciuar hetime me vetiniciativë.
Në kuadër të këtyre hetimeve, sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë veprime hetimore në Komunën e Dragashit.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parapara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit”, thuhet në njoftim.
“Duke marrë parasysh interesimin e opinionit publik dhe mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore”.