Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, është në negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për mundësinë e ndonjë koalicioni parazgjedhor.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, ka bërë të ditur se partia e Limajt ka bisedime me subjektin politik të Lumir Abdixhikut.
Kjo u konfirmua edhe nga vet Limaj, i cili fillimisht i demantoi raportimet se ka arritur dakordim me PDK-në.
“Nuk ka ndodhur asnjë takim mes dy partive (NISMA-PDK) dhe se pretendimet për dakordim janë të pavërteta. Siç e keni pa, jemi në kontakt me LDK-në”, u shpreh ai në një deklaratë për Tërshanin.
Sa i përket bisedimeve me LDK-në, kujtojmë se ishte Abdixhiku, ai i cili para disa ditësh tha se kjo parti do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe Limajn me deputetët e vet.
Pas takimit të fundit publik mes dy liderëve të këtyre partive, Abdixhiku e pati quajtur Limajn “mik të shkëlqyer”.