May 12, 2026
1 min read

Një komunë në Mal të Zi anulon njohjen e Kosovës, vendimi nxit reagime

Asamblistët e Kuvendit komunal të Zetës në Mal të Zi, kanë votuar të martën një deklaratë për anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës në territorin e kësaj komune.

Televizioni publik malazez “RTCG” ka njoftuar se për deklaratën kanë votuar asamblistët e DNP-së e Novas, pastaj Marko Vukçeviq nga demokratët dhe tre asamblistë të pavarur.

Asamblistët e DPS-së, parti që udhëhiqej nga Milo Gjukanoviq, nuk kanë marrë pjesë në seancë, ndërsa para votimit sallën e kanë lëshuar asamblistët e demokratëve, Aleksandra Petriçeviq dhe Luka Krstoviq.

Ky vendim ka nxitur menjëherë reagime. Kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP) dhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, Milan Knezheviq, e ka përshëndetur vendimin.

Në fakt, ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrë iniciativë edhe në Kuvendin e Malit të Zi për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo parti është pro-serbe dhe është pjesë e koalicionit qeveritar i kryesuar nga “Lëvizja, Evropa tash”.

Ka reaguar edhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj. Ministri shqiptar nga “Alternativa Shqiptare”, këtë vendim e ka quajtur kthim prapa në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Dukaj ka theksuar se nuk është i befasuar nga deklarata e Kuvendit të komunës së Zetës për anulimin e vendimit shtetëror për njohjen e Republikës së Kosovës.

“Pa hyrë në elementet kushtetuese-juridike që një akti të tillë politik nuk i japin rëndësi detyruese, megjithatë këtu bëhet fjalë për fenomenin e përpjekjes për marrjen e kompetencave të huaja dhe ndërhyrjen në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që janë qëllimi parësor i vendit tonë”, ka shkruar Dukaj në profilin e tij në rrjetin social X.

Ministri Dukaj ka vlerësuar se komuna më e re në këtë vend duhet të jetë e orientuar drejt krijimit të kushteve më të mira për jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e komunitetit, në vend të veprimeve që, kontribuojnë në dobësimin e institucioneve për interesa politike dhe qëllime gjeopolitike.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën në kohën sa qeverisej nga Milo Gjukanoviq më 9 tetor 2008.

Latest from Blog

Go toTop