Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një incident të dhunshëm.
Sipas vendimit, H.D. dyshohet për veprat penale “vrasja në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa A.D. dhe E.G. dyshohen për “pjesëmarrje në rrahje”.
Rasti ka ndodhur më 10 gusht 2026, rreth orës 15:50, në rrugën “Dëshmorët e Hereçit” në Gjakovë.
Sipas Prokurorisë, gjithçka ka nisur pas një mosmarrëveshjeje dhe përleshjeje fizike mes të dyshuarve dhe të dëmtuarit D.G. Gjatë incidentit, H.D. dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij.
Si pasojë, D.G. është plagosur në pjesën e sipërme të këmbës së majtë dhe është dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Pas incidentit, H.D. dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes.
Të tre të pandehurit do të qëndrojnë në paraburgim nga 10 gushti deri më 10 shtator 2026.