August 10, 2026
1 min read

“Nuk e njohim Kosovën”, mediat ukrainase “gozhdojnë” Zelenskin

Largimi i flamurit të madh të Ukrainës nga një ndërtesë në Prishtinë ka marrë vëmendje të gjerë në mediat ukrainase, pas deklaratave të presidentit Volodymyr Zelenskyy në Beograd për qëndrimin e Ukrainës ndaj pavarësisë së Kosovës.

Flamuri me mbishkrimin “Free Ukraine” kishte qëndruar në kryeqytet që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Ai u largua pasi Zelenskyy, gjatë vizitës së tij në Serbi, konfirmoi se Kievi nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, publikoi pamjet e largimit të flamurit, duke deklaruar se “shteti i Kosovës duhet të respektohet”.

“Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjet”, ishte mesazhi i Ramës.

Ky zhvillim është pasqyruar nga një numër i madh mediash ukrainase, të cilat kanë vënë në pah edhe faktin se Kosova ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i luftës me Rusinë.

Raportimet kanë rikujtuar mbështetjen e Kosovës për Kievin, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ndihmën humanitare dhe forma të tjera të mbështetjes, pavarësisht faktit se Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Deklaratat e Zelenskyyt kanë nxitur reagime të shumta në Kosovë, me kërkesa që Ukraina ta rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj shtetësisë së Kosovës.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop