Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra katër zyrtarë policorë të Komisariatit të Himarës, të cilët ishin në detyrë gjatë periudhës kur në Qeparo u ndërtua një objekt pesëkatësh pa leje.
Sipas Policisë, objekti me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë ishte ndërtuar në zonën e quajtur “Sugë”, pa lejen e organeve kompetente.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se ndërtimi kishte nisur në dhjetor të vitit 2025, ndërsa Komisariati i Policisë në Himarë nuk kishte ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e tij.
Personi që dyshohet se kishte kryer ndërtimin është arrestuar, ndërsa tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim nën dyshimin për “Shpërdorim të detyrës”.
Ndaj katër zyrtarëve policorë të pezulluar ka nisur edhe hetimi disiplinor.
/Demantim News/