January 15, 2026
1 min read

Osmani nga Reçaku: Dhimbja mbetet e freskët – Serbia nuk është ndëshkuar për krimet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kompleksi Memorial në Reçak, theksoi se masakra ndaj 45 viktimave përbën dëshmi të gjallë të synimit të Serbisë për të shfarosur popullin shqiptar.

Pas homazheve, Osmani nënvizoi se dhimbja për ngjarjen e Reçakut mbetet e freskët, dhe se Serbia nuk është ndëshkuar për këtë krim e shumë të tjerë.

Ajo shtoi se edhe sot, Serbia vazhdon me të njëjtën mentalitet dhe politikë, duke mohuar edhe masakrën e Reçakut.

“Në këtë 27-vjetor të Masakrës së Reçakut, kujtojmë sërish viktimat e kësaj tragjedie të tmerrshme, që dëshmoi qartë qëllimin shfarosës të regjimit gjenocidal serb ndaj popullit të Kosovës. Plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja mbetet po aq e thellë sa ishte para 27 vitesh. Ajo është e freskët për familjet e viktimave dhe për gjithë popullin e Kosovës, pasi ende nuk ka drejtësi për këto krime, si dhe për shumë të tjera në të gjithë Kosovën. Edhe pas më shumë se dy dekadash, Serbia vazhdon me të njëjtat politika dhe me të njëjtin mentalitet, dhe mohimi i krimeve, përfshirë edhe mohimin e Reçakut, përbën një krim të dyfishtë”, deklaroi Osmani.

Presidentja gjithashtu theksoi se themelet e shtetit të Kosovës janë të forta falë sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën, jo vetëm brenda vendit, por kudo në botë. Siç dëshmoi edhe ambasadori Walker, ajo që ndodhi në Reçak ishte një krim kundër njerëzimit, kundër të pafajshmëve, dhe dëshmonte qëllimin e regjimit serb për të zhdukur popullin shqiptar nga faqja e dheut. Sot, falë sakrificës së martirëve të Reçakut dhe të gjithë Kosovës, si dhe të dëshmorëve të UÇK-së, gëzojmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në një shtet sovran, të cilin themelet e tij i kanë forcuar me gjakun e tyre”, përfundoi presidentja.

Latest from Blog

Go toTop