Presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situate e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.
Në takim, sipas njoftimit të Presidencës, Osmani theksoi se procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve. Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin. Më tej, Presidentja Osmani e informoi z. Sorensen për zhvillimin e suksesshëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë dhe vlerësoi se zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane”, thuhet në njoftim.
Në takim, Presidenca thekson se u diskutuan gjithashtu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani përshëndeti vendimin e dhjetorit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, të shpallur në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Gjatë takimit u fol edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, derisa në njoftim thuhet se Osmani theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së.
“Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme”.