Presidentja Vjosa Osmani, në Davos të Zvicrës ka zhvilluar një takim me homologun e saj të Singaporit, Tharman Shanmugaratnam.
Në takim, Osmani tha se kanë diskutuat marrëdhëniet, siç i quajti ajo, “të shkëlqyera ndërshtetërore”, si dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik e koordinimin në arenën ndërkombëtare.
E para e shtetit tha se ka kërkuar nga Singapori liberalizimin e plotë të vizave.
“Pas liberalizimit të vizave për qytetarët tanë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, propozova që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët tanë, një hap që do të forconte edhe më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte më shumë popujt tanë”, tha kreu i shtetit, Vjosa Osmani.
Po ashtu, Presidentja tha se kanë diskutuat organizimin e forumit të përbashkët ekonomik, dhe rëndësinë e hapjes së kapitujve të ri të bashkëpunimit midis dy shteteve në fusha të shumta të interesit të dyanshëm.