Mikel Arteta ka minimizuar mungesën e shtrëngimit të duarve me Unai Emery pas fitores bindëse të Arsenalit 4-1 ndaj Aston Villës në “Emirates”, duke theksuar se situata nuk përbën asnjë problem mes dy trajnerëve.
Aston Villa udhëtoi në Londër si një nga skuadrat më në formë të Premier League dhe me një fitore do të barazonte Arsenal-in me pikë. Megjithatë, “Topçinjtë” dominuan totalisht pjesën e dytë, duke shënuar katër gola, ndërsa Ollie Watkins realizoi golin e nderit për miqtë në minutat shtesë.
Pas vërshëllimës përfundimtare, Unai Emery u drejtua menjëherë drejt tunelit, pa shkëmbyer përshëndetje me ish-lojtarin e tij, Mikel Arteta, i cili e zëvendësoi atë në stolin e Arsenalit në vitin 2019. Megjithatë, trajneri spanjoll i londinezëve nuk i dha rëndësi këtij momenti.
“Nuk është problem. Ndonjëherë ndodhemi në situata të tilla, ndaj për mua nuk ka asgjë për t’u diskutuar,” u shpreh Arteta.
Nga ana tjetër, Emery sqaroi se kishte kërkuar Artetën për ta përshëndetur, por ai po festonte me stafin teknik dhe nuk kishte arsye për të pritur.
“Po e prisja, por ai ishte me trajnerët e tij. Rregulli im është gjithmonë ta përshëndes trajnerin kundërshtar dhe pastaj të largohem. Nëse ai nuk ndjek të njëjtën rutinë, unë nuk mund të pres. Nuk ka asnjë problem mes nesh,” deklaroi Emery, duke shtuar me humor se ndoshta ishte edhe për shkak të të ftohtit.
Fitorja i lejoi Arsenalit të zgjerojë përkohësisht epërsinë ndaj Manchester Cityt, rivalit kryesor për titullin, duke sinjalizuar edhe një herë se gara për kampionatin do të jetë e fortë, ashtu si në sezonet 2022/23 dhe 2023/24.
Arteta beson se skuadra e tij është më në fund gati për të thyer “mallkimin” e titullit, që mungon që nga viti 2004, dhe për t’i dhënë fund thatësirës së trofeve që po hyn në vitin e gjashtë.
“Ka qenë një vit 2025 i jashtëzakonshëm për mua personalisht dhe profesionalisht. Në 2026 e dimë çfarë duam dhe do të punojmë çdo ditë për ta arritur. Jemi në rrugën e duhur,” përfundoi Arteta.