Banorët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, janë detyruar që të hënën të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik, shkruan REL.
Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë vazhdojnë të mos i kursejnë që disa muaj akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar me financat në komunë. Por, një gjë dihet: Komuna e Prishtinës e ka miratuar me vonesë buxhetin për vitin 2025, dhe rrjedhimisht Ministria e Financave e ka hartuar një version të buxhetit për të. Pjesa tjetër është histori…
Autobusët e vetëm që janë parë në kryeqytet ishin ata të linjave që çojnë në Fushë Kosovë ose Obiliq, komuna ngjitur me Prishtinën.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka marrë pjesë në protestën para objektit të Qeverisë së Kosovës më 24 nëntor, bashkë me operatorët privatë të transportit publik, duke e akuzuar ekzekutivin për “fonde të mangëta”, të cilat, sipas tij nuk kanë mjaftuar për t’i obligimet ndaj operatorëve.
Mbrapa Ramës janë parë disa persona duhet mbajtur mbishkrime “Shtatë muaj pa paga”.
Në anën tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur një ditë më parë se Zyra e Thesarit të Shtetit qysh të premten e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, për t’i paguar disa shërbime esenciale, siç është energjia elektrike.
“Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se ‘i kryejmë të hënën’”, ka bërë të ditur Murati përmes një postimi në Facebook.
Kuvendi i Kosovës e pati edhe një mundësi të fundit për t’i votuar katër projektligje të rëndësishme për vendin javën e kaluar, para se ky institucion të shpërbëhej dhe të caktohej data për zgjedhje të reja.
Në mesin e katër projektligjeve, ishte edhe ai për miratimin e buxhetit për tri komuna të Kosovës: Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun. Pavarësisht thirrjeve të Lëvizjes Vetëvendosje, parti që tani udhëheq me Qeverinë në detyrë, partitë tjera nuk patën gatishmëri për t’i miratuar këto dokumente.
