Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili arriti ta fitojë edhe një mandat nën logon “Për Drenasin Kampion”, ka njoftuar se pasditen e sotme, rreth orës 18:30, bashkë me kandidatët për Kuvend dhe anëtarët e Shtabit zgjedhor, do ta bëjnë hapjen e zyrës ku ishte selia e degës së PDK-së në këtë komunë.
“Me kandidatet dhe kandidatët për Kuvend me anëtarët e Shtabit zgjedhor, do të takohemi bashkë në zyrat ku ishim vendosur përkohësisht dhe së bashku, në ora 18:00, ndërsa rreth orës 18:30 do ta hapim simbolikisht zyrën ku ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas, zyrë e cila me vite ka qenë burim i fitoreve. Ftoj të gjithë anëtarët e Shtabit zgjedhor “Për Drenasin Kampion” të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm e sollën fitoren meritore, të vazhdojnë angazhimin dhe japin kontribut me të gjitha mundësitë për fitore në degët e PDK-së të cilat janë në balotazh”, shkruan ai në Facebook.
Pos kësaj, kryetari fitues i Drenasit, falënderoi qytetarët të cilët kontribuuan që zgjedhjet në këtë komunë të zhvillohen në mënyrë siç thotë ai, shembullore.
“Me qytetarët kampionë të zemrës së Kosovës. Fitorja e qytetarëve të Drenasit, është fitore e madhe! Faleminderit”, shkruan Lladrovci.