Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, u ka bërë thirrje publike kryesuesit të seancës, Avni Deharit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të mundësojnë vazhdimin e seancës dhe përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Tahiri ka akuzuar VV-në se, përmes kryesuesit të seancës, po pengon funksionalizimin e Kuvendit duke mos e thirrur seancën, për të cilën ai pretendon se është obligim që buron nga ligji dhe Kushtetuta.
“Kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet, ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën dhe ta thërrasë seancën”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, kërkesa e PDK-së është që seancat të thirren çdo 48 orë, në mënyrë që Kuvendi të nisë funksionimin normal. Ai ka bërë të ditur se partitë politike janë ftuar që nesër në orën 11:00 të marrin pjesë në seancë.
“Aleanca është përgjigjur pozitivisht, presim që edhe të tjerat të përgjigjen pozitivisht që të jemi në seancë dhe ta konstituojmë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka paralajmëruar se PDK-ja do ta shtojë presionin politik nëse, sipas tij, vazhdon bllokimi i funksionalizimit të Kuvendit.
“Reagimi do të rritet vazhdimisht, sepse pushtetin autoritar nuk e lejon askush.”
Tahiri e ka cilësuar situatën aktuale si cenim të rendit kushtetues, duke argumentuar se mosfunksionalizimi i Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve të vendit.