Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që vazhdimi i saj të thirret të dielën, më 16 gusht.
Në një konferencë për media në Kuvend, Ismaili akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e mban vendin në krizë përmes moskonstituimit të Kuvendit.
“PDK ishte në sallën e Kuvendit për herë të tretë. Ne erdhëm, ata nuk erdhën. Ne kërkuam Kuvend funksional, ata zgjodhën bllokadën”, deklaroi Ismaili.
Ai tha se kriza institucionale po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke përmendur problemet në shëndetësi, energji dhe arsim.
Sipas Ismailit, PDK kërkon që më 16 gusht të vazhdojë seanca, të propozohet kandidati për kryetar të Kuvendit dhe të përfundojë procesi i konstituimit.
“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Në fund, Ismaili i bëri thirrje Kurtit që të rikthehet në Kuvend dhe të mos, siç u shpreh ai, “fshihet pas Avni Deharit”.
/Demantim News/