August 20, 2026
1 min read

PDK me mesazh të fortë për LVV-në: “Kushtetuta mbi partinë, konstituojeni Kuvendin”

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë ndërmarrë një veprim simbolik në sallën plenare, duke lënë në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje letra me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Letrat u vendosën gjatë seancës së thirrur nga PDK-ja, e cila po kërkon që seanca konstituive të mbahet çdo 48 orë, deri në përmbylljen e procesit të formimit të Kuvendit.

Deputetët e LVV-së nuk morën pjesë në seancë. Ndërkohë, PDK-ja përsëriti qëndrimin se partia që doli e para në zgjedhjet e fundit po shmang përgjegjësinë kushtetuese për funksionalizimin e institucioneve.

Në mesazhin drejtuar deputetëve të shumicës, PDK-ja kërkon që mandati i tyre të ushtrohet në interes të qytetarëve dhe jo në bazë të interesave apo udhëzimeve partiake.

Kushtetuta është mbi partinë, Republika është mbi liderin politik dhe mandati qytetar mbi urdhrin politik”, thuhet në letër.

Partia opozitare u ka bërë thirrje deputetëve që të marrin përgjegjësi individuale për funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se detyrimet kushtetuese nuk mund të varen nga kalkulimet politike.

Në letër gjithashtu theksohet ndikimi i bllokadës institucionale te qytetarët, veçanërisht në një periudhë kur familjet përballen me shpenzimet e vitit të ri shkollor, kostot e dimrit, çmimet, tatimet dhe vështirësitë ekonomike.

Qytetarët tanë nuk mund të presin pafundësisht. Për këto probleme duhet të punojnë institucionet dhe për këto nevoja duhet të flasë Kuvendi”, thuhet në mesazh.

Në fund, PDK-ja ka adresuar një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj deputetëve: të respektojnë betimin, mandatin dhe Kushtetutën, si dhe të përmbushin detyrimin për konstituimin e Kuvendit.

PDK ka bërë të ditur se do të vazhdojë të insistojë në mbajtjen e seancave konstituive sipas afateve procedurale, deri në funksionalizimin e Kuvendit.

Ndërkohë, për të gjashtën ditë radhazi, deputetët e PDK-së kanë bllokuar hyrjen e objektit të Qeverisë së Kosovës, me synimin për të takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Latest from Blog

Go toTop