Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda mbajtën sot një konferencë për media, ku folën për zhvillimet e fundit politike dhe situatën që po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, një krize të panevojshme politike dhe përplasjeve kushtetuese.
Tahiri theksoi se Kosova po shkon sërish drejt zgjedhjeve jo për shkak të mungesës së alternativave për zgjidhje, por për shkak të refuzimit të tyre nga shumica parlamentare.
“Nëse e di që nuk i ke votat, atëherë në politikë kërkon marrëveshje dhe konsensus. Por kur refuzon marrëveshjen dhe insiston vetëm në kandidatë partiakë, mesazhi është i qartë: problemi nuk është zgjedhja e Presidentit, por dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit. Dëshira për t’i nënshtruar të gjithë akterët e tjerë politikë ndaj një mentaliteti autoritar, për ta kapur çdo institucion”, tha Tahiri.
Ai shtoi se të gjithë presidentët e deritanishëm të Kosovës janë zgjedhur si rezultat i marrëveshjeve ndërmjet partive politike dhe se kjo është hera e parë që Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin.
Tahiri theksoi se PDK ka vepruar me përgjegjësi gjatë gjithë këtij procesi. Ai tha se partia ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ka marrë pjesë në takimet me kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje.
Ai shtoi se PDK ka mbështetur idenë e një kandidati konsensual nga familja Jashari, ka qenë e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike dhe në fund ka ofruar edhe një marrëveshje të kufizuar vetëm për zgjedhjen e Presidentit.
“Pra, alternativa kishte. Zgjidhje kishte. Mungoi vetëm vullneti politik i shumicës parlamentare. Ose, thënë më saktë: në Lëvizjen Vetëvendosje mbizotëroi etja dhe dëshira për pushtet dhe kontroll absolut”, u shpreh Tahiri.
Ai theksoi se për PDK-në ishte e papranueshme logjika e kontrollit absolut të institucioneve dhe se një qasje e tillë do t’i sillte dëme serioze vendit.
Tahiri tha gjithashtu se, pasi kanë kuptuar se nuk mund të prodhojnë rezultate konkrete për vendin, shumica parlamentare ka zgjedhur të abstenojë nga përgjegjësia e qeverisjes dhe të prodhojë kriza të njëpasnjëshme politike.
Në fund, Tahiri deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje sa herë që ato të mbahen.
“PDK do t’u drejtohet qytetarëve me një program të qartë për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe qeverisje serioze. Kosova nuk ka nevojë për kriza të reja politike, Kosova ka nevojë për përgjegjësi”, përfundoi Tahiri.
Në vijim të konferencës për media, për të sqaruar aspektet kushtetuese të situatës aktuale, fjalën e mori deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
Gruda theksoi se Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë Presidentin brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë dhe se, si rrjedhojë, shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës ka konsumuar të drejtën e tij për të zgjedhur Presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, shpërndarja e tij dhe dekreti i Presidentes janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Gruda.
Ai theksoi se në doktrinën kushtetuese evropiane ekziston parimi i ndalimit të përfitimit nga mosveprimi institucional.
“Kompetenca për zgjedhjen e Presidentit nuk është diskrecionale, por një detyrim pozitiv kushtetues. Mosnisja e procedurës përbën një mosveprim kushtetues institucional që bllokon krijimin e një organi të shtetit”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, interpretimi se Kuvendi mund të shmangë shpërndarjen duke mos e nisur fare procedurën e zgjedhjes së Presidentit është në kundërshtim me logjikën kushtetuese dhe me parimin e efektivitetit të Kushtetutës.
“Nëse pranohet se shpërndarja ndodh vetëm pas votimit të tretë, atëherë Kuvendi mund të mos e thërrasë kurrë seancën dhe të zgjasë mandatin përtej parashikimeve kushtetuese. Kjo bie ndesh me parimin e efektivitetit të Kushtetutës”, tha ai.
Gruda shtoi se interpretimi korrekt i Kushtetutës kërkon që afatet kushtetuese të mos neutralizohen përmes mosveprimit institucional.
“Dispozitat kushtetuese nuk mund të interpretohen në mënyrë që lejojnë neutralizimin e tyre përmes mosveprimit institucional. Përndryshe, do të krijohej mundësia e një bllokimi të përhershëm institucional”, theksoi Gruda.
Ai përfundoi se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën me mosveprim dhe se pasoja e kësaj situate është shpërndarja e tij dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.
“Presidentja ka vepruar tërësisht në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe pritet që së shpejti të caktohet edhe data e zgjedhjeve”, përfundoi Gruda.