Sulmuesi i Chelseat, Pedro Neto, mund të përballet me një dënim nga UEFA pas një incidenti në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint‑Germain.
Gjatë humbjes 5-2 të skuadrës londineze, portugezi pati një përplasje me një “ballboy” teksa po përpiqej të merrte topin shpejt për një rivënie anësore. Neto e shtyu djalin e topave, i cili u rrëzua në tokë, duke shkaktuar edhe reagime nga lojtarët e të dyja skuadrave.
UEFA ka hapur tashmë hetim për “sjellje josportive” dhe organet disiplinore do të vendosin në ditët në vijim për masën e mundshme. Portugezi mund të përballet me pezullim, gjobë ose paralajmërim.
Pas ndeshjes, Neto kërkoi falje publike dhe deklaroi se gjithçka ndodhi në emocionet e lojës, madje i dhuroi edhe fanellën “ballboy”-t si shenjë respekti.
Vendimi i UEFA-s pritet të merret para ndeshjes së kthimit mes Chelseat dhe PSG-së.