March 19, 2026
1 min read

Përurohet segmenti i radhës Vushtrri-Prishtinë

Është bërë përurimi i segmentit të rrugës Vushtrri–Prishtinë.

Në përurimin e këtij segmenti të rrugës mari pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.

Përpara të pranishmëve, Kurti u shpreh se punimet e rrugës kanë përfunduar përbrenda afatit ligjor 2-vjeçar, teksa investimi prej 25 milionë eurosh është në gjatësi prej 9.6 kilometrash.

“Projekti është ndërtuar më standarde të larta dhe moderne. Si i tillë, sjell siguri, zhvillim e mundësi për të gjithë banorët e zonës, përfshirë kryeqytetin Prishtinën, dhe komunat Vushtrri e Mitrovicë. Projekti është realizuar në dy vite dhe përfshin zgjerimin e rrugës në 4 korsi, pastaj ndërtimin e bajpasit 4.4 kilometra jashtë trasesë ekzistuese e që kalon nëpër 7 fshatra. Gjithashtu ka të ndërtuara 8 nënkalime, 3 mbikalime dhe një urë. Kjo nënkupton më pak orë në trafik, më shumë siguri, qarkullim më të lehtë dhe lidhje të reja që bashkojnë më shumë tërë rajonin verior të vendit tonë” deklaroi Kurti.

Ai u shpreh se qeveria është e angazhuar që të sigurojë menaxhimin më të mirë të mundshëm të investimeve publike, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie.

Nga ana tjetër, ministri Basha u shpreh se rruga ka drenazhim dhe efikasitet të lartë. Me këtë rast, ai priti aktivizimin e Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjes që realizon vijimin e projektit deri në Mitrovicë.

Ceremonia e prerjes së shiritit u zhvillua në fshatin Gojbulë, te hyrja e segmentit të zgjeruar të rrugës nga Vushtrria në drejtim të Prishtinës./

Latest from Blog

Go toTop