January 16, 2026
2 mins read

“Pezullim i përkohshëm”, ambasada amerikane flet pas vendimit për vizat imigruese

Pas publikimit nga presidenti amerikan, Donald Trump, të një liste prej 120 vendeve të origjinës së imigrantëve që përfitonin ndihma sociale në SHBA, Administrata amerikane njoftoi për vendimin e një pezullimi të përkohshëm të vizave për imigrantë nga 75 vende të botës.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Gazetën Express se vendimi u mor pasi Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të pavarur për të mbrojtur përfitimet publike për qytetarët amerikanë.

“Departamenti po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që imigrantët nga këto vende me rrezik të lartë nuk pritet të përdorin përfitimet publike në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në përgjigje.

Ambasada tha se Departamenti mori këtë masë bazuar në tregues që imigrantët nga këto vende kanë një rrezik të shtuar për të marrë përfitime publike në Shtetet e Bashkuara.

“Departamenti po ndalon përkohësisht lëshimin e vizave për të vlerësuar dhe përmirësuar procedurat dhe udhëzimet e filtrimit dhe verifikimit lidhur me bazën e papërshtatshmërisë për shkak të ‘ngarkesës publike’ (public charge)”.

Ambasada sqaroi se kjo masë vlen vetëm për lëshimin e vizave për imigrantë dhe se ajo nuk vlen për vizat jo-imigrante, si ato për turistë, sportistë, punonjës të kualifikuar dhe familjet e tyre.

Po ashtu, ndalimi i përkohshëm i lëshimit të vizave nuk ndikon tek ata që tashmë kanë një vizë të vlefshme për imigrantë.

“Asnjë vizë imigranti nuk është tërhequr sipas këtyre udhëzimeve.  Aplikantët për vizë imigranti që preken mund të dorëzojnë aplikimet dhe të marrin pjesë në intervista, si dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por nuk do të lëshohen vizat e imigrantëve. Takimet ekzistuese për vizë imigranti zakonisht nuk do të ri-caktohen ose anulohen”, thuhet më tej në përgjigje.

Departamenti po komunikon drejtpërdrejt me aplikantët e prekur përmes kanaleve standarde konsullore, përfshirë gjatë intervistave dhe përmes email-it kur është e përshtatshme.

Ambasada udhëzoi aplikantët se duhet të monitorojnë faqen zyrtare të ambasadës ose konsullatës amerikane ku kanë aplikuar, si dhe faqen Travel.State.Gov Newsroom, për informacione të fundit.

Ambasada amerikane e përfundoi përgjigjen me një rekomandim se ku duhet të merren informacionet për të shmangur konfuzitetin.

“Aplikantët këshillohen fuqimisht të mbështeten vetëm tek burimet zyrtare të qeverisë amerikane për informacion lidhur me rastin e tyre”.

Latest from Blog

Operacion i madh bastisjeje në burgun e Dubravës

Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion të gjerë bastisjeje me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë brenda
Go toTop