January 13, 2026
2 mins read

“Po përdoren dokumente që burojnë nga autoritetet serbe“, Avokati i Popullit letër Trendafilovës

Avokati i Popullit i është drejtuar me një letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilovës.

Përmes kësaj letre, ky institucion ka paraqitur sqetësimet lidhur me përputhshmërinë e procedurave para Dhomave të Specializuara me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo letër, sipas Avokatit të Popullit, është qëllimisht e kufizuar në fushëveprim dhe trajton çështje parimore, pa ofruar një vlerësim të detajuar apo shterues, e të cilin Zyra ime vazhdon ta bëjë ndaras.

“Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë”, thuhet në letër.

Avokati i Popullit tha se kjo situatë bëhet edhe më befasuese kur marret parasysh se financimi i Dhomave të Specializuara buron nga një Veprim i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian, një institucion i cili, në bazë të traktateve themeluese dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, siç thuhet, është i detyruar t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të tij të jashtëm.

Në letër flitet gjithashtu për disa mangësi themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave para Dhomave.

“Me mbi njëzet vite përvojë profesionale si avokat mbrojtës, them se është jashtëzakonisht e pazakontë, dhe thellësisht shqetësuese, të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja. Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve”.

Avokati i Popullit përmes kësaj letre tha se ka vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat siç thuhet, pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999.

“Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet në letër.

Latest from Blog

Go toTop