Zyra e Presidentes ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Shqipëri, për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të rajonit në Durrës, në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni.
Siç thuhet në komunikatën për media, Samiti Brdo-Brijuni organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviç, ndërkaq do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.
Me temë: “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, takimi i këtij viti sipas Presidencës, do të fokusohet në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, me fokus në Planin e Rritjes së Rajonit të propozuar nga Bashkimi Evropian.
“Iniciativa Brdo-Brijuni, synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe t’i lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në komunikatë.