Ne si popull e kemi bërë praktikë të ankohemi dhe të fajësojmë të tjerët për ngecjet tona, si historike ashtu edhe për mungesën e emancipimit shoqëror.
Por edhe kur vendosim për vetveten, në shumicën e rasteve bëjmë lëshime – me ose pa qëllim – që ndoshta as armiqtë tanë nuk do t’i bënin për të na dëmtuar.
Më e rëndë është se këto gabime ndodhin për një arsye: Për egon e sëmurë që bartim, për garën se kush të jetë i pari, e jo kush të bëjë diçka të mirë.
Me këtë rast dua të reagoj ndaj statujës së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prizren, e cila, sipas mendimit tim, vetëm emrin e ka në rregull.

Nuk është vendosur në vendin e duhur – në një rrethrrotullim ku askush nuk ka mundësi ta soditë si këmbësor, përveç atyre që kalojnë me veturë, të cilët megjithatë kanë vëmendjen tek drejtimi i saj.
Ana artistike e punimit është nën çdo nivel, e për më tepër, kohëve të fundit janë ngjyrosur përkrenarja dhe shpata, gjë që e ka devalvuar edhe më shumë vlerën artistike, duke nënçmuar kështu figurën më emblematike të kombit tonë.
Si përfundim, nëse deri më tani kemi fajësuar armiqtë tanë për gabimet dhe ngecjet tona, tani e tutje duhet të pyesim: kë duhet të fajësojmë?
Mustafë Kadriaj
Profesor Universitar