November 10, 2025
3 mins read

Profesori univeristar tregon se kush ishte ‘hero’ i zgjedhjeve dhe kush ishte ‘surpriza e padëshiruar’

Profesori univeristar, Mustafë Kadrijaj, ka dhënë përshtypjet e tij, lidhur me rezultatet në zgjedhjet lokale.

Ai ka treguar po ashtu se kush ‘hero’ i zgjedhjeve dhe kush ishte ‘surpriza e padëshiruar’.

Statusi i tij i plotë:

Përkundër deklarimeve për sjellje korrekte, si çdo herë, ka vend për kritikë. Për fat të keq, këto sjellje duket se janë bërë të pranueshme dhe të mirëqena, si për partitë politike, ashtu edhe për elektoratin e elektrizuar, i cili, duke harruar hallet e veta, rreshtohet pas subjekteve të preferuara pa vetëdije, duke lënë anash kërkesat e tij reale.

Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, me të gjithë aparatin shtetëror të angazhuar dhe me përdorimin e buxhetit të Republikës së Kosovës, arritën të fitojnë Mitrovicën, Fushë-Kosovën dhe Obiliqin. Sikur të mos e kishin fituar Mitrovicën, do të ishte dështim, sepse një parti që ka fituar zgjedhjet nacionale me mbi 40% të votave, e që fiton vetëm dy komuna të vogla si Fushë-Kosova dhe Obiliqi, do të konsiderohej e dështuar.

Ndërsa, si liderë të dështuar, i vlerësoj Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun.

PDK, me në krye Memli Krasniqin, humbi Drenasin, duke tentuar të devijojë votën, por qytetari ia tregoi vendin. Në Mitrovicë humbi sepse lidershipi i PDK-së ishte i fjetur dhe nuk i qëndroi afër kandidatit Arian Tahiri. Megjithatë, mendoj se edhe sikur t’i qëndronin afër, do ta dëmtonin më shumë. Për mua, Arian Tahiri është heroi i këtyre zgjedhjeve, i vetëm përballë një aparati shtetëror.

Edhe më skandaloze ishte fakti që Memli Krasniqi dhe kryesia e partisë, në vend që të ishin në Mitrovicë për ta mbështetur Tahirin, shkuan në Prizren, ku fitorja e Shaqir Totajt ndodhi pa ndonjë meritë të veçantë të Memli Krasniqit.

Sa për LDK-në, çfarë të thuhet? E përulën një ish-bashkëluftëtar të Agim Ramadanit, Xhafer Gashin, i cili në luftë nuk njohu dorëzimin, por sot u detyrua të japë dorëheqje, përkundër punës së mirë që kishte bërë si kryetar i Obiliqit. Kjo, vetëm për shkak të mungesës së një lidershipi dinjitoz në LDK.

E vetmja krenari që i ka mbetur LDK-së është Prishtina, ku për arsye të njohura, elektorati urban ende e voton këtë parti, duke e lidhur me kujtimin e ish-presidentit Ibrahim Rugova. LDK pati fat që në Prishtinë përballë kishte kandidatë të mirë, por që u dëmtuan nga lidershipet e partive të tyre si Hajrullah Çeku nga sjellja arrogante e Albin Kurtit, dhe Uran Ismajli nga ndikimi negativ i perceptuar i Sami Lushtakut.

Si parti opozitare stabile u tregua AAK-ja. Pa pushtet, por me një strukturë të qëndrueshme dhe kandidatë të pakontestueshëm, AAK-ja ruajti bazën e saj në rajonin e Dukagjinit. Krahas saj, sukses vlersoj edhe Nismën, e cila në Malishevë që udhëheq po sjell ndryshim të dukshëm, që po merr pamjen e një qyteti të zhvilluar. Kjo i atribuohet liderit të saj, Fatmir Limaj.

Në përfundim, vlerësoj se dy liderët humbës të këtyre zgjedhjeve lokale janë Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. Ata kanë dy alternativa: të japin dorëheqje, duke treguar sadopak moral politik, ose të shkarkohen nga kuvendet e partive të tyre. Përndryshe, nuk ka arsye që votuesit të qëndrojnë besnikë pas këtyre pseudo-liderëve, sepse këto dy parti mbartin histori dhe vlera që kërkojnë udhëheqës të denjë.

Sa për Memli Krasniqin, nuk ia fal vetes që disa vite më parë kam pasur pritje të mëdha për të dhe kam folur në superlativë. Me këtë rast, i kërkoj falje opinionit për atë vlerësim të mëhershëm.

Sido që të jetë, secilit kandidat që ka fituar i uroj suksese dhe punë të mbarë në detyrimet që ka ndaj qytetarëve. Njëkohësisht, uroj që qeveria të sillet njësoj ndaj të gjitha komunave — të mos jetë “nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër”, siç jemi mësuar ta shohim shpesh nga sjelljet e kryeministrit aktual, Albin Kurti.

Latest from Blog

Go toTop