Gërmimet e fundit në zonën e Kalludrës në Zubin-Potok kanë rikthyer në qendër të vëmendjes kërkesën e Kosovës që Serbia të hapë arkivat shtetërore dhe ushtarake të luftës së viteve 1998–1999.
Për familjet e rreth 1.600 personave ende të zhdukur, qasja në këto dokumente konsiderohet një hap kyç për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
Për Demantim News, ekspertët vlerësojnë se arkivat e ushtrisë, policisë dhe shërbimeve të sigurisë serbe mund të përmbajnë informacione të rëndësishme për vendndodhjen e varreve masive, lëvizjen e trupave dhe zinxhirin e përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës.
Sipas tyre, hapja e plotë e arkivave nuk do të garantonte zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, por do të ndihmonte ndjeshëm në identifikimin e viktimave dhe dokumentimin e krimeve.
Ekspertët theksojnë se arsyeja kryesore pse Serbia nuk lejon qasje të plotë në arkiva lidhet me faktin se dokumentet mund të dëshmojnë përfshirjen e strukturave shtetërore, ushtarake dhe policore në krimet e luftës dhe në fshehjen e trupave të viktimave.
Kosova kërkon në veçanti hapjen e arkivit të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili u shpall sekret për 30 vjet. Sipas organizatave që merren me dokumentimin e krimeve të luftës, ky arkiv mund të përmbajë të dhëna të rëndësishme për vrasjen e civilëve shqiptarë dhe zhvendosjen e trupave të tyre në varrezat masive në Serbi.
Edhe pse Kosova dhe Serbia janë zotuar në kuadër të dialogut në Bruksel për bashkëpunim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, deri më tani ende nuk është arritur përparim i mjaftueshëm. Aktualisht, 1.577 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta në Kosovë.
/Demantim News/