Klinika Infektive e QKUK-së ka njoftuar se aktualisht po trajton raste të dyshuara të helmimit nga ushqimi, ku deri tani janë pranuar 31 pacientë.
Sipas njoftimit, gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar 11 raste pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis, raporton Demantim News.
Nga QKUK kanë bërë të ditur se gjendja e pacientëve është stabile dhe ata po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në mesin e rasteve të pranuara janë edhe pesë persona nga Hani i Elezit, të cilët kanë paraqitur simptoma të ngjashme. Sipas deklarimeve të tyre, dyshohet se më shumë persona që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion mund të jenë prekur.
Ekipet mjekësore po vazhdojnë monitorimin e pacientëve, ndërsa institucionet përkatëse po punojnë për të identifikuar burimin e infeksionit, raporton Demantim News.