Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka formuar një komision ad-hoc për të zhvilluar hetim administrativ lidhur me shqetësimet e ngritura publikisht për trajtimin e një fëmije në Klinikën e Pediatrisë.
Sipas njoftimit të QKUK-së, drejtori i këtij institucioni ka marrë vendim për formimin e komisionit, i cili do të shqyrtojë të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim të mundshëm, nga aspektet menaxheriale deri te ato teknike.
“QKUK ka pranuar me seriozitet shqetësimet e ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje gjatë trajtimit të fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë”, thuhet në njoftim.
Nga QKUK bëjnë të ditur se gjatë verifikimeve fillestare janë evidentuar disa parregullsi, përfshirë ato të pasqyruara edhe në fotografitë e publikuara. Për këto raste janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, ndërsa një punëtor i shërbimeve teknike është suspenduar përkohësisht.
Po ashtu, për të siguruar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër infermierëve.
QKUK ka bërë të ditur se pas përfundimit të hetimit administrativ do ta informojë publikun për gjetjet e komisionit dhe masat që do të ndërmerren, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.