Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar ashpër situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk po e përmbushin përgjegjësinë që kanë marrë përmes betimit.
Ramadani tha se kanë kaluar dy javë nga dita kur deputetët dhanë betimin dhe se, sipas tij, puna e Kuvendit vazhdon të mbetet e bllokuar.
“Do të vazhdojmë t’i ekspozojmë shkeljet zinxhirore që po ndodhin në Kosovë. Sot bëhen dy javë, më 6 gusht, që ne si deputetë kemi dhënë një betim”, deklaroi ai.
Ai kritikoi veçanërisht largimin e deputetëve nga salla, duke e cilësuar këtë veprim si pengesë për konstituimin e Kuvendit.
“Bllokimi i Kuvendit dhe ikja nga salla e Kuvendit nuk ka as nder, as përkushtim. Nuk po e kryejnë detyrën për të cilën janë betuar si deputetë. Këta nuk po e përfaqësojnë popullin duke ikur nga salla, e hiç më hiç nuk po e përfaqësojnë me dinjitet”, u shpreh Ramadani.
Sipas tij, situata aktuale përbën shkelje të parimeve kushtetuese, ndërsa mesazhet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të shërbejnë si sinjal për subjektin politik që, sipas tij, po pengon funksionalizimin e Kuvendit.
“Thirrja e SHBA-së dhe BE-së nuk është shqetësuese. Ajo duhet të jetë vetëdijësuese për partinë që e ka bllokuar Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Ramadani.