Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Gjykata Administrative ka refuzuar kërkesën e një grupi të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për pezullimin e vendimit që lidhet me ndryshimin e çmimit të biletave në transportin publik urban.
Sipas aktvendimit të 28 korrikut 2026, asambleistët e LVV-së kishin kërkuar pezullimin e efekteve juridike të vendimit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, të marrë më 29 qershor.
Kërkesa synonte që ekzekutimi i vendimit për ndryshimin e çmimit të biletës të pezullohej deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.
Gjykata ka vlerësuar se pretendimet e paraqitura nuk përmbajnë argumente të mjaftueshme ligjore për vendosjen e masës së sigurimit.
Megjithatë, në aktvendim sqarohet se refuzimi i kërkesës për pezullim nuk përbën vendim përfundimtar lidhur me konfliktin administrativ.
Pas vendimit, Rama reagoi në Facebook, duke njoftuar se kërkesa e grupit të asambleistëve të LVV-së për pezullimin e vendimit është refuzuar.
/Demantim News/