January 30, 2026
1 min read

Refuzohet padia e KOSTT ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Gjykatës Komerciale

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka marrë aktgjykim në konfliktin administrativ sipas padisë së paditësit Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës – KOSTT kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me anulimin e aktit administrativ.

Kësisoj, u refuzua si e pabazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paraqitur nga KOSTT kundër aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës.

Supremja vlerësoi se aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, arsyetimet e dhëna nga Gjykata Komerciale e Kosovës janë të plota, të qarta dhe të bazuara në analizë të drejtë të fakteve dhe të legjislacionit të zbatueshëm.

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka konstatuar se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT Sh.A., në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore përkatëse.

“Gjykata nga provat e administruara në këtë çështje ka konstatuar se ZRRE, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë ka ushtruar përgjegjësitë e saj për monitorimin e operimit të tregjeve të energjisë elektrike në mënyrë që të sigurojë funksionimin efikas të këtyre tregjeve, si dhe të identifikojë veprimet korrigjuese që mund të jenë të nevojshme, ka kryer hetime lidhur me shkeljet eventuale të kryera nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për KOSTT.

Gjykata vlerëson se me rastin e shqiptimit të gjobës së ZRRE-së ndaj KOSTT, në vlerë prej 439,405.00€ (katërqind e tridhjetenëntëmijë e katërqindepesë Euro) për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara për blerjet e energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet, janë zbatuar drejtë dispozitat ligjore procedurale dhe materiale, andaj gjykata refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit”.

Latest from Blog

Certifikohen dy qenë policorë

Në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, u mbajt ceremonia e certifikimit të dy qenve policorë, një nga Policia e Kosovës dhe një nga Policia e Shqipërisë, të siguruar si donacion nga
Go toTop