Nesër Roma luan në Europa League, por trajneri Gian Piero Gasperini, mendjen e ka tashmë te Milani, me të cilët do të përballet në fundjavë.
Trajneri verdhekuq, para ndeshjes kundër Stuttgartit, tha se e dinë rëndësinë e fitores në Evropë, por shton se fokusin e ka te kampionati vendor.
“Do të jetë një ndeshje shumë pranë asaj me Milanin, e cila është ajo që na tërheq më shumë vëmendjen. Në Europa League kemi një pozicion të mirë dhe e dimë se duke fituar kemi shanse të mëdha për të shmangur play-off-in, por është e vërtetë që kampionati është ai ku kemi fokusin më të madh”, deklaroi Gasperini.
Ai është i vetëdijshëm se skuadrat italiane nuk po performojnë mirë në Evropë, prandaj thotë se të njëjtat duhet të përmirësohen.
“Të fitosh një trofe në Evropë për skuadrat italiane është bërë problem; mjafton të shikohen edhe ndeshjet e djeshme. Duhet ta zhvendosim pak objektivin, të mendojmë për përmirësimin dhe rritjen tonë, për t’u përpjekur të bëhemi një skuadër më e fortë”, deklaroi ai.