Kryetari i Lidhjs Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sërish ka paralajmëruar një zhvillim të ri politik.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se së shpejti do të nisë një bashkim i madh politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët.
Abdixhiku ka theksuar se dramat e sotme politike, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën, duke shtuar se vendit i duhet një rrëfim tjetër politik.
I pari i LDK-së nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë paralajmërim. Megjithatë, në qarqe politike po qarkullojnë zëra se ai mund të ketë aluduar për një rikthim të mundshëm të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në këtë parti.
Postimi i plotë:
Koha kërkon bashkim.
Të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike.
Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme.
Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim.
Le ta bëjmë.
Do ta bëjmë!