December 10, 2025
1 min read

Seanca në Apel: Shiti armën me të cilën u vra Liridon Ademaj, Tom Dodaj kërkon ulje të dënimit

Sot në Gjykatën e Apelit, është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Tom Dodaj, i cili akuzohet për shitjen e armës me të cilën u vra Liridon Ademaj, e për të cilin u dënua me pesë vjet burgim.

Dodaj ngarkohet me vepren penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Ai e kishte pranuar fajësinë mbi këtë vepër, mirëpo nuk po pajtohet me lartësinë e dënimit.

Lidhur me këtë, ka folur avokati Agron Kuçi.

“Ne kemi kërkuar ulje të lartësisë së dënimit. Dënimi prej pesë vitesh është goxha i lartë, marrë parasysh se klienti im, e ka pranuar fajësinë, dhe ka bashkëpunuar edhe me polici e prokurori”, deklaroi ai për Klankosova.tv.

“Mendoj se ai edhe është viktimë në këtë rast dhe se nuk e ka ditur se për çfarë po bëhet fjalë”, deklaroi ai.

“E kemi bo ankimimin dhe tani po presim. Besoj që kjo punë do të shkojë diku nja 2 a 3 muaj do të marrë kohë”, theksoi avokati.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

Tom Dodaj është dënuar me 5 vjet burgim, nga shkalla e parë në janar të këtij viti.

Por, ankesa u kundërshtua sot nga Leutrim Syla, avokat i palës mbrojtëse i cili ka kërkuar që dënimi të mbetet në fuqi.

Latest from Blog

Presidenti, PDK nuk merr pjesë në seancë

Pas pak pritet që të mbahet seanca për Presidentin. Burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e sontme. Bazuar në këtë
Go toTop