Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, nën pretendime për krime lufte të vitit 1999.
Sipas MPJD-së, Maxhunit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Ministria ka njoftuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi dhe u ka dërguar notë verbale misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it, duke kërkuar angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së Maxhunit.
Ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit, ndërsa pritet të parashtrohet edhe kërkesa zyrtare për vizitën e tij. Vizita pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme.
MPJD ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të shtetasit të Kosovës.
/Demantim News/