Një person është arrestuar në flagrancë në Prizren, nën dyshimin se për më shumë se një vit ka shantazhuar dhe kërcënuar një grua për t’i marrë para.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar hetimet edhe përmes masave të veçanta hetimore, pas dyshimeve për shantazh dhe ngacmim.
Sipas Prokurorisë, S.Q. dyshohet se nga qershori i vitit 2025 deri më 13 gusht 2026, në Prizren dhe përmes rrjeteve sociale, e ka kërcënuar të dëmtuarën me publikimin dhe dërgimin te familjarët të materialeve që, sipas tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin.
Përmes WhatsApp-it, ai dyshohet se i ka bërë presion të vazhdueshëm gruas, duke i kërkuar para në këmbim të mos publikimit të këtyre materialeve.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, shuma e përfituar nga i dyshuari ka arritur deri në 50 mijë euro. Për t’i siguruar paratë, gruaja dyshohet se është detyruar të shesë edhe arin që kishte marrë nga nëna dhe familjarët e saj.
Komunikimet kërcënuese, sipas hetimeve, kanë vazhduar edhe më pas, duke i shkaktuar të dëmtuarës frikë dhe shqetësim të madh për veten dhe familjen.
Gjatë aksionit hetimor janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një veturë dhe dy telefona celularë, si prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e një mase për sigurimin e pranisë së tij gjatë procedurës penale.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të siguruar provat e nevojshme.