Një rast i dyshuar për mashtrim dhe sulm është regjistruar në Fushë Kosovë, ku një marrëveshje për shitblerjen e një motoçiklete ka përfunduar me ndalim policor.
Më 2 mars 2026 rreth orës 20:00, në stacionin policor është paraqitur Sh. Rexhepi, i shoqëruar nga Y. Sadiku, duke raportuar se kishin pasur një marrëveshje për shitblerjen e një motoçiklete në vlerë prej 17.500 euro.
Sipas ankuesit, motoçikleta i ishte dorëzuar A. Gjyrevcit, mirëpo pagesa nuk ishte realizuar asnjëherë.
Ndërkohë që ankuesi dhe dëshmitari po intervistoheshin, para stacionit policor në Fushë Kosovë është paraqitur edhe i dyshuari, i cili dyshohet se e ka sulmuar fizikisht dëshmitarin Y.Sadikun.
Palët janë shoqëruar në stacion për intervistim. Viktima nuk ka pësuar lëndime trupore dhe nuk ka pasur nevojë për tretman mjekësor.
Me vendim të Prokurorit Kujdestar, A. Gjyrevci është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Mashtrim” dhe “Sulm”.
Rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.