Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”, ngjarje që kishte ndodhur më 24 shtator 2007 dhe ku kishin humbur jetën dy persona.
Me vendimin e gjykatës, nga akuzat janë liruar Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi, Mehmet Mehmeti dhe Afet Dalloshi.
Trupi gjykues ka vendosur që shpenzimet e procedurës penale të bien mbi gjykatën, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M., dhe P.S., dhe ishin lënduar disa persona të tjerë.
Të akuzuarit Hasani dhe Qerimi janë gjykuar dhe dënuar në një proces tjetër gjyqësor.
Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.
Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.