January 20, 2026
1 min read

Shpallja e rezultateve të 28 dhjetorit në fillim të shkurtit, Elezi flet në detaje

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ, në fillim të muajit shkurt do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Ai theksoi se ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.

“Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”deklaroi Elezi.

Ai njëherit tregoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi”, shtoi ai.

Elezi njëherësh theksoi se aktualisht, numri i ekipeve të numërimit të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76.

“Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që të gjithë procesin e rinumërimit të arrijmë ta përmbyllim deri në fund të muajit janar”, theksoi më tutje ai.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop