Pas shpërthimit të sëmundjes “Gjuha e Kaltër”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur masë ndalese të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhë, dele dhe dhi nga i gjithë territori i Malit të Zi.
Në njoftimin e AUV-it thuhet se autoritetet kufitare obligohen të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla të përmendura nga ky shtet.
“Pas njoftimeve të publikuara në sistemet ndërkombëtare ADIS dhe ËAHIS lidhur me konfirmimin e shpërthimit të sëmundjes Gjuha e Kaltër (Bluetongue – BT) në shtetin e Malit të Zi, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundje në territorin e Republikës së Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur masë ndalese të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhë, dele dhe dhi nga i gjithë territori i Malit të Zi”.
“Autoritetet kufitare që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit – Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV – obligohen të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla të përmendura nga ky shtet. Të gjitha institucionet përkatëse janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes”, thuhet tutje në njoftim.