January 9, 2026
1 min read

Sindikata e Policisë: Familjet e policëve të rënë nuk janë paguar gjatë muajit dhjetor

Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me atë, siç thotë SPK, mospagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor.

Kjo sindikatë, përmes një njoftimi për media, tha se edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave.

Si pasojë, thekson SPK, familjet e policëve të rënë në detyrë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit.

Sindikata u bëri thirrja institucioneve përgjegjëse që të gjejnë zgjidhje sa më parë.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e SPK-së.

“Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve. Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet”.

Latest from Blog

Go toTop