Prokuroria Themelore e Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar një aksion ku janë prangosur 4 persona, në mesin e tyre 2 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe 2 të tjerë të një kompanie private.
Ata dyshohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Të njëjtit lidhen me dallaveret në lëshimin e lejeve të armëve të zjarrit.
Zyrtarë e Ministrisë së Brendshme, dyshohen se kanë lëshuar çertifikata për pajisje me leje armësh për qytetarë, pa iu nënshtruar procedurave të nevojshme ligjore, pa prezencën e personave.
“Gjatë ekzekutimit të urdhër-kontrollit janë sekuestruar disa dokumente të nevojshme, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve lidhur me këtë çështje penale. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës të sigurisë ndaj të pandehurve. Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kryerjes se veprave penale dhe në sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.