Selvete Matoshi ka tri javë që mezi bën gjumë në sy.
Ditët e saj në shtëpinë ku jeton bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët në Taslixhe të Prishtinës janë të numëruara.
Pas katër vitesh qëndrimi, pronarja ia ka kërkuar shtëpinë, sepse planifikon të investojë në të.
Selvetja tregon se për shkak të kushteve të rënda ekonomike, pronarja ia kishte lënë shtëpinë pa paguar asnjë qira.
Por tani, ajo nuk di nga t’ia mbajë.
48-vjeçarja rrëfen se prej se e mban mend, ka jetuar nëpër strehë të përkohshme – asnjëherë në një shtëpi të vetën.
Muret e çara dhe dyshemeja e pashtruar flasin vetë për gjendjen e rëndë.
Shtëpia nuk ka as instalim të sigurt të rrymës dhe shpesh, tregon ajo, i ka zënë rryma kur është përpjekur të pastrojë.
Bashkëshorti i saj nuk ishte aty. Kishte dalë për të punuar.
Ndërsa gruaja dhe fëmijët prisnin për një kashore bukë që do t’ua sillte ai, pasi kishte dalë në mëngjes e pritej të kthehej në terr.
Selvetja është mirënjohëse ndaj fqinjëve dhe familjes që, herë pas here, i dalin në ndihmë.
Por më së shumti i dhimbset vajza dhe djali i saj, që siç thotë ajo “asnjëherë s’kanë pa dy ditë të mira me sy”.
Ajo tregon se fëmijët shpesh mungojnë në shkollë, sepse nuk kanë mundësi të blejnë libra apo veshje të reja.
Djali i saj 16-vjeçar tregon se për këtë arsye shpesh është bullizuar nga shokët.
Ai thotë se e ka të rëndë të shohë prindërit duke u munduar çdo ditë për mbijetesë.
Ndërsa nëna, Selvete, rrëfen se i digjet zemra sa herë që fëmijët kërkojnë ndonjë dhuratë apo para për t’u shëtitur me shokët – diçka që ajo nuk mund t’ua sigurojë.
Tashmë, dëshira e saj e vetme është në kulm mbi kokë një vend ku fëmijët e saj të mos kenë më frikë se do të zgjohen të ftohur.