Pika kufitare e Jarinjës sot do të jetë e bllokuar për afër dy orë për shkak të një proteste të paralajmëruar në anën e territorit serb.
Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, rruga do të jetë e bllokuar nga ora 16:00 deri 18:00, raporton Gazeta Express.
“Ju inkurajojmë që nesër të shmangni qarkullimin në këtë PKK dhe të zgjidhni PKK tjera për qarkullim”.
Protesta, që u paralajmërua nga një grup të rinjsh serb, do të mbahet në prag të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet në Kosovë për të kundërshtuar zbatimin e tyre.
Siç thanë ata në njoftimin e protestës, ajo do të fillojë fillimisht simbolikisht në orën 12:44 në parkun e qytetit në Rashkë dhe më pas është planifikuar një shëtitje proteste nga Rashka në Jarinje dhe një bllokim i pikës kufitare për dy orë, raportoi dje Kossev.
Organizatorët e kësaj proteste thanë në njoftim se këto ligje “janë drejtuar drejtpërdrejt kundër popullit serb që jeton në Kosovë”.
Në prag të nisjes së zbatimit të këtyre ligjeve, për të cilët janë ankuar përfaqësues të serbëve në Kosovë, në Prishtinë do të vijë sot emisari europian, Peter Sorensen, për takim me kryeministrin Albin Kurti.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka lënë edhe numrat kontaktues për shkak të protestës në Jarinjë.
Për më shumë informata, kontaktoni QKMK, në numrat e mëposhtëm:
+383(0)45198000
+383(0)45198606 dhe në numrin pa pagesë 080050095.