October 28, 2025
1 min read

Supremja hedh poshtë padinë lidhur me Udhëzuesin për daljen në treg të lirë të energjisë

Kolegji i Gjykatës Supreme ka hedhur poshtë padinë e paditësit: “F. M.”, B.I, i njohur me emrin tregtar N.T.P “ACN”, kundër të paditurës: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me të cilën ka kërkuar shfuqizimin e Udhëzuesit për Daljen e Konsumatorëve në Treg të Lirë të Energjisë Elektrike, si e palejueshme.

Gjykata përmes aktgjykimit PA.nr.24/2025, vlerësoi se akti i kontestuar nuk përmban elementet e një akti nënligjor normativ, dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kushtet për shqyrtim të mëtejshëm të aktit të kontestuar nga paditësi.

Në këtë rast akti i kontestuar: “Udhëzuesi për daljen e konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike”, i publikuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese, por norma të natyrës informuese dhe orientuese për konsumatorët lidhur me hapat konkret që duhet ndjekur për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Andaj, Gjykata përmes këtij aktgjykimi ka bërë të qartë se ky Udhëzues nuk është akt me karakter normativ, pasi nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon norma juridike. Për më tepër ai nuk prodhon efekte juridike për palët në mënyrë detyruese, andaj si i tillë, nuk mund të jetë objekt i padisë për shfuqizim si akt nënligjor, për shkak se nuk i plotëson kriteret ligjore që e karakterizojnë një akt juridik normativ.

Për këtë arsye, udhëzuesi nuk mund të jetë objekt shqyrtimi për shfuqizim nga gjykata, në kuptimin e kontrollit të ligjshmërisë së akteve nënligjore normative, pasi nuk është akt normativ në vetvete, por një dokument informues pa efekt juridik detyrues.

Gjykata Supreme, në referim të nenit 10 paragraf 4 të LKA-së, vlerësoi se kjo gjykatë, gjykon sipas revizionit dhe si shkallë e parë dhe e vetme, ndaj kërkesëpadive për shfuqizimin e një akti nën-ligjor normativ, të gjitha paditë e tjera gjykohen në gjykatën e shkallës së parë si gjykatë kompetente.

Linku i vendimit: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__24_2025_SQ.pdf

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop