January 20, 2026
1 min read

Supremja: Institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit për pensionistët

Gjykata Supreme e Kosovës ka theksuar se përgjegjësia për implementimin e vendimit lidhur me lajmërimin e pensionistëve i takon institucioneve përkatëse.

Në një shpjegim për opinionin, një ditë pas njoftimit të Ministrisë së Financave se disa kategori pensionistësh duhet të paraqiten për të konfirmuar se janë ende gjallë, Supremja ka sqaruar se ka përmbushur plotësisht detyrat e saj përmes aktgjykimit P.A.nr.16/2025.

“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve. Pas nxjerrjes së aktgjykimit vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik. Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme”, thuhet nga Gjykata Supreme.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se disa kategori të pensionistëve nuk kanë më nevojë për paraqitje të rregullt para zyrave të pensioneve.

Këto kategori janë përfituesit e pensioneve: kontributive,parciale kontributive, dhe familjare.

Latest from Blog

Go toTop