November 20, 2025
1 min read

Supremja refuzon padinë e KDI-së për KPK-në

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë e paditësit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të paraqitur kundër të paditurit, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me të cilën ka kërkuar që të shpallet e paligjshme dhe të shfuqizohet Rregullorja Nr.03/2025, për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores Nr.02/2021, për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se po ashtu është hedhur kërkesëpadia e KDI-së, në kërkesën për shfuqizimin e të gjitha vendimeve të KPK-së, të bazuara në Rregulloren Nr.03/2025.

“Gjykata Supreme vlerëson se nxjerrja e rregulloreve dhe plotësim-ndryshimeve të tyre përbën ushtrim të rregullt dhe legjitim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të KPK-së, pasi nënkupton krijimin e kornizës së brendshme normative të nevojshme për funksionimin e sistemit prokurorial dhe administrimin e karrierës së prokurorëve. Këto akte nuk mund të konsiderohen tejkalim i kompetencave, për sa kohë që burojnë drejtpërdrejt nga autorizimet e dhëna me Kushtetutë dhe ligj”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka pohuar se kompetencat e KPK-së, për nga natyra e tyre, janë kompetenca kushtetuese të drejtpërdrejta, të cilat i janë dhënë Këshillit Prokurorial të Kosovës me vetë Kushtetutën dhe, si të tilla, nuk mund t’i nënshtrohen një interpretimi kufizues apo të ngushtë përmes dispozitave nënligjore.

“Përderisa akti themelor – Kushtetuta, i jep KPK-së autorizim të qartë për të rregulluar çështjet organizative, procedurale dhe të administrimit të karrierës së prokurorëve, asnjë akt nënligjor nuk mund të përdoret si bazë për t’ia ngushtuar apo kufizuar këtë kompetencë”, thuhet në njoftim.

Në këto rrethana, Gjykata ”konstaton se nuk ka asnjë shkelje ligjore në mënyrën dhe kohën e miratimit të Rregullores së kontestuar nga KPK, pasi veprimet e ndërmarra janë plotësisht në përputhje me nenin 21 të Ligjit Nr. 08/L-249 dhe parimet e përgjithshme të hierarkisë normative dhe zbatimit të ligjit”. 

Latest from Blog

Go toTop