March 21, 2026
2 mins read

Sylvinho: Muçin e shoh si sulmues, ja pse e thirra Anis Mehmetin

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë të play-off-it të Botërorit 2026 ndaj Polonisë më 26 mars në Varshavë, në orën 20:45.

Trajneri Sylvinho ka bërë publike listën me 26 lojtarët e ftuar për këtë përballje, si edhe për ndeshjen e mundshme ndaj Ukrainës ose Suedisë më 31 mars.

Në konferencën për mediat të shtunën, Sylvinho foli për mundësinë e aktivizimit të lojtarëve si Muçi dhe Mehmeti, sidomos me mungesën e sulmuesit Rei Manaj për shkak dëmtimi. Sylvinho e konsideroi Muçin si lojtar të rëndësishëm dhe që ka aftësi përpara portës.

“Për sa i përket Muçit, unë Muçin e shoh si sulmues. Përveç faktit që ai luan si sulmues krahu, por ashtu edhe si trekuartist, në fushë ai është një lojtar që shënon, e gjen portën, ka tipare ofensive, me pak defensive”, tha trajneri i kuqezinjve, përcjell A2 CNN.

Në lidhje me 25-vjeçarin Anis Mehmeti, trajneri e vlerësoi si një lojtar me tipare sulmuese, madje duke e cilësuar që e sheh më tepër si sulmues krahu sesa si trekuartist, pozicion në të cilin aktivizohet në klubin e tij Ipswich Town në Angli.

“Sa i përket Mehmetit, është një lojtar të cilin e kemi sjellë ne tre vite më përpara dhe është një lojtar që është rritur, që është përmirësuar shumë në aspektin fizik dhe taktik. Ndërkohë unë e shikoj si sulmues krahu. Të dy janë lojtarë që e gjejnë portën dhe në rastet kur nuk ke një sulmues pykë, duhet të përshtatesh dhe të gjesh lojtarë të cilët mund të shënojnë”, shtoi ai.

Sylvinho vlerësoi maksimalisht Nedim Bajramin, mesfushorin e avancuar që luan për klubin Rangers në ligën skoceze. Trajneri theksoi që në tre vitet e fundit, Bajrami ka shënuar më shumë se kushdo tjetër në kombëtare, duke evidentuar efikasitetin e tij përpara portës.

“Lojtari që ka shënuar më shumë gola në këto tre vite me kombëtaren është Nedim Bajrami, i cili ka shënuar shtatë gola edhe pse nuk është lojtar tipik pykë. Pas tij vjen Jasir Asani me gjashtë gola dhe Kristjan Asllani me katër gola”.

Kombëtarja shqiptare do të nisë përgatitjet të hënën në “Shtëpinë e Futbollit” për ndeshjen e parë ndaj Polonisë, ndërsa të mërkurën do të udhëtojë drejt Varshavës.

Latest from Blog

Go toTop