August 13, 2026
1 min read

Tahiri ashpërson tonet: “Kuvendi është jofunksional dhe i uzurpuar”, kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar gjendjen aktuale në Kuvend dhe Qeveri, duke e cilësuar situatën si shkelje të normave kushtetuese dhe ligjore.

Tahiri ka bërë të ditur se AAK-ja i ka dërguar kërkesë kryesuesit të seancës që, pas përfundimit të afatit prej 48 orësh, seanca të mbahet nesër në orën 11:00. Sipas tij, deri tani nuk kanë marrë përgjigje apo ndonjë reagim lidhur me këtë kërkesë.

“Na brengos shumë që shkelja e Kushtetutës, përveç që po ndodh në Kuvend, po ndodh edhe më zi në Qeveri”, ka deklaruar Tahiri.

Ai e ka cilësuar Kuvendin si aktualisht jofunksional dhe të uzurpuar, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për situatën me ministrat që njëkohësisht mbajnë edhe mandatin e deputetit.

“17 ministra i kemi që janë deputetë dhe shkojnë në zyre në mënyrë antiligjore”, ka thënë Tahiri, duke kërkuar që Prokuroria të ndërmarrë veprime për shkak të, siç pretendon ai, shkeljeve të normave juridike.

Tahiri ka deklaruar se Aleanca do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratikë për të mbrojtur Kuvendin, të cilin e ka cilësuar si “tempull të demokracisë”.

“Nuk do të ndalemi duke e mbrojtur këtë tempull të demokracisë. Nuk guxon me na mbyllë dera”, është shprehur ai.

Në fund, Tahiri ka kritikuar edhe mënyrën e sjelljes ndaj deputetëve gjatë seancave, duke theksuar se askush nuk duhet të lejohet të hyjë në seancë dhe të ofendojë një deputet.

Latest from Blog

Go toTop