Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ku një taksist është sulmuar dhe therur me thikë pas një mosmarrëveshje të momentit.
IndeksOnline ka siguruar pamjet e viktimës, i cili është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur pasi shoferi i taksisë, duke lëvizur në terren, ka hyrë gabimisht në një rrugë me një kahje. Ky veprim dyshohet se ka nxitur konfliktin me një person tjetër, që më pas e ka sulmuar fizikisht dhe e ka goditur me thikë.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh: “Rruga ‘Ismet Krasniqi’ – Prishtinë, 19.11.2025 – 20:45. Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se pas një mosmarrëveshje është goditur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është në kërkim”.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.